“Monstra”, LSDM: “Bombën” e kësaj çështjeje do t’ia dorëzojmë prokurorit special

26/07/2015 00:00

Zëdhënësi i partisë maqedonase opozitare LSDM, Petre Silegov ka sqaruar se, mospublikimi i bisedave të përgjuara telefonike lidhur me rastin “Monstra” ka të bëjë me bindjen e drejtuesve të kësaj partie se, as ky publikim nuk do të ndryshonte gjë për të mirë.

“Mendoj se, publikimi i bisedave lidhur me rastin ‘Monstra’ nuk do të ndryshonte asgjë, pasi ne kemi publikuar bisedat e përgjuara, ose veprimet e paligjshme, rreth rastit të ‘Sopotit’ dhe Lube Boshkovskit, por lind pyetja: mos vallë ndryshoi diçka në aspektin juridik lidhur me ato lëndë? Jo. Edhe nëse do të publikonim ‘Monstrën’ nuk do të ndikonte aspak ndaj një Prokurorie të këtillë dhe ndaj një gjyqësori të këtillë në Republikën e Maqedonisë”, ka deklaruar për mediat, Silegov.

Silegov ka paralajmëruar se, të gjitha bisedat e përgjuara telefonike do t’i dorëzohen prokurorit special, i cili do të duhet të jetë transparent me procedurat që do të udhëheqë dhe dëshmitë që do të ketë në dispozicion.

“Dua t’iu kujtoj se, nëse Lidhja Social Demokratike kthehet në Parlament, e do të duhet që të kthehet, do të formohet edhe një Komision anketues për bisedat e përgjuara, pasi në atë mënyrë do të mund ta njoftojmë opinionin”, ka pohuar Silegov.

Top Channel