Fjalim frymëzues në Kenia, Obama: Mos u largoni nga vendi, por luftoni këtu…edhe kundër korrupsionit

26/07/2015 00:00

“Kenia është në udhëkryq”, tha Barack Obama nga stadiumi i sporteve në Nairobi, gjatë fjalimit të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, e që përmbyll vizitën e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetin ku u lind i ati.

“Ky vend ka arritur vërtet shumë, nëse flasim për politikën dhe ekonominë, por korrupsioni, terrorizmi dhe ndasitë fisnore apo etnike janë një kërcënim për të ardhmen e tij”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

“Kenia gjendet përballë një momenti të mbushur me rreziqe, por edhe me shpresa të mëdha. Të rinjve kenianë të ditëve tona nuk u duhet t’i shërbejnë një padroni kolonialist, e as të largohen nga vendi, siç kanë bërë gjyshërit apo baballarët e tyre. Për shkak të progresit të Kenias, për shkak të potencialit tuaj, ju mund të ndërtoni një të ardhme të shndritshme pikërisht këtu, pikërisht tani…”, tha Obama.

Këto fjalë të Presidentit amerikan u pritën me duartrokitje në stadiumin e mbushur plot me njerëz. Por, Obama nuk kurseu as paralajmërimet se, pavarësisht qëndrueshmërisë së arritur me aq mund, një politikë e mbështetur vetëm te fiset dhe etniciteti është e destinuar ta shkatërrojë një vend.

Ai kujtoi po kështu se “kanceri” i korrupsionit, që ka gërryer Kenian, i ka kushtuar vendit 250 mijë vende pune. Obama dënoi ashpër edhe praktikën e gjymtimit gjenital të femrave, apo martesën e detyruar, fenomene këto që – siç tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, – nuk i përkasin shekullit të XXI-të, ndërsa i nxiti kenianët të “përqafojnë diversitetin” duke iu referuar kështu qartazi të drejtave të homoseksualëve.

Pas vizitës dyditore në vendin e blinduar për mbërritjen e tij, Obama do të udhëtojë drejt Etiopisë, duke u bërë i pari President i Amerikës që vë këmbë në këtë vend. Ai do të jetë gjithashtu i pari udhëheqës i Shteteve të Bashkuara, që i drejtohet Unionit Afrikan 54-anëtarësh, kryekomisioneri Nkosazana Dlamini-Zuma i të cilit e përshkroi rrugëtimin e Obamës në Etiopi si një “vizitë historike”, që do t’i zgjerojë e thellojë edhe më shumë marrëdhëniet mes Unionit në fjalë dhe Uashingtonit.

Top Channel