Varoufakis: Kishim “Plan B” me sistem paralel në euro ose dhrahmi, Tsipras ishte në dijeni

26/07/2015 00:00

Përsëri në qendër të vëmendjes në Greqi, por edhe jashtë saj, ndodhet ish-ministri i Financave, Janis Varoyfakis pas publikimeve të dy artikujve në shtypin e së dielës.

Sipas gazetes “Kathimerini” ish-shefi i Financave në një konferencë të mbyllur me investitorë dhe drejtues të fondeve ndërkombëtare, në 16 korrik nën drejtimin e konservatorit britanik, baronit Norman Lamont, ka paraqitur të ashtuquajturin “plan B” të qeverisë greke, që mbështetej sipas tij, edhe nga vetë kryeministri Tsipras. 

I detajuar prej dhjetorit të vitit të kaluar nga një grup i besuar pranë tij, ky plan synonte në krijimin e një sistemi bankar paralel që do të ishte vërtet i përcaktuar në euro, por që brenda një nate mund të kthehej në një dhrahmi të re.

Mënyra e funksionimit, siç Varoufakis u ka bërë të njohur të pranishmëve, do të ishte që sapo të mbylleshin bankat dhe bankomatet të mosfunksiononin, grupi në fjalë për të cilin kishte dijeni edhe Tsipras, sipas Varoufakis, t’i vinte ato në punë me anë të këtij sistemi paralel.

Funksionimi i tyre do të bëhej me numrat e identitetit tatimor (AFM) të çdo qytetari edhe nga shtëpia nëpërmjet “E-banking” për t’u realizuar shkëmbimet bankare midis individëve, kompanive dhe shtetit.  Kështu në ditët e para, nuk do të kishte probleme ekonomia dhe do jepej ndjesia tek populli se shteti e kontrollon situatën.

Varoufakis ka pohuar gjithashtu në takim, shkruan “Kathimerini”, se një i besuari i tij që kishte emëruar në Ministrinë e Financave, kishte shtënë në dorë gjithë aparaturën për zbatimin e planit, por jo numrat e identitetit tatimor të qytetarëve dhe për këtë ishte vendosur që ato të merreshin nga faqja e internetit të Sekretarisë së Përgjithshme të të Ardhurave e cila kontrollohej nga troika, me anë të hakerave, përndryshe plani do mësohej.

“Pavarësisht se nuk kishim mandat të nxirrnim Greqinë nga euro, por të negocionim një zgjidhje që do mbante vendin në Eurozone, ne shkuam pak më tej që në rast dështimi të analizonim alternativën jashtë euros. Duhej vetëm miratimi i kryeministrit, i cili nuk erdhi kurrë”, është shprehur Varoufakis.

Megjithëse e dinte që takimi regjistrohej, ai pas detajeve të thëna në këtë konferencë ka deklaruar se nëse kjo bisedë publikohej, do mohonte gjithçka.

Pavarësisht reagimeve pas artikullit, ende nuk ka asnjë pozicionim nga zyra e  kryeministrit për “planin B” të  ish-ministrit grek kaq shumë të përfolur pesë muajt e fundit, aq më tepër që Varoufakis në një intervistë tjetër dhënë gazetës “Real News” thuhet se ka deklaruar që kjo qeveri duhet të japë dorëheqjen. 

Siç shkruajnë në mënyrë karakteristike të gjitha mediat greke menjëherë pas publikimit të këtij artikulli, Varoufakis me një postim të tij në Twitter ka mohuar përsëri ato që ka thënë, duke i quajtur “provokime të radhës”.

Top Channel