Ulja e tarifave të sigurimit kufitar, autoritetet: Ndikoi pozitivisht

26/07/2015 00:00

Emigrantët kosovarët i janë gëzuar vendimit për zbritjen e tarifave të sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë që ka hyrë në fuqi më 1 korrik.

Sipas tyre zbritja e tarifave të sigurimit kufitar është një lehtësim për ta, ndërsa për kundër faktit që kanë paguar, asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet.

Ndërsa, përfaqësues të kompanive të sigurimit kanë thënë se kjo zbritje ka ndikuar pozitivisht dhe se numri i policave dhe kohëzgjatja është më e madhe se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, tha për “Kosova Press” se Kuvendi do të mbajë premtimin dhe brenda shtatorit do të fillojë me plotësim-ndryshimin e ligjit për sigurimet.

Rrahim Pacolli , nga asambleja e byrosë së sigurimeve ka thënë që ky vendim ndikoi pozitivisht në rritjen e numrit të bashkatdhetarëve që kanë frekuentuar vendin me automjete.

Ky sigurim nuk i mbulon dëmet e shkaktuara në makinë, dëmet e shkaktuara nga personat e panjohur, dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si dhe dëmet e shkaktuara nga vetë poseduesi i këtij sigurimi, përmbysja e mjetit apo nga kafshët në rrugë.

Top Channel