Mbetet i izoluar Manastiri i Zvërnecit. Ura, e dëmtuar që nga përmbytja e dimrit

26/07/2015 00:00

Ura e Manastirit të Zvërnecit vijon të mbetet e dëmtuar. Edhe pse është një nga pikat kryesore për turizmin, Manastiri i Zvërnecit është bërë i pavizitueshëm, për shkak të urës së dëmtuar që prej muajit shkurt, kur reshjet e dendura të shiut sollën përmbytje në të gjithë zonën.

Që prej shkurtit, ura e manastirit, e cila është 286 metra e gjatë, është e pakalueshme. E vetmja rrugë për të kaluar në anën tjetër të manastirit është nëpërmjet varkës, e cila po përdoret nga banorët e zonës si mjet transporti.

Turistët e huaj, që mbërrijnë deri këtu për të vizituar manastirin, shprehen të zhgënjyer që nuk munden ta vizitojnë. Manastiri është një pikë, ku çdo ditë vijnë dhjetëra vizitorë, por disa prej tyre arrijnë ta vizitojnë, disa të tjerë jo, pasi vetëm dy varka të vëna në dispozicion nga peshkatarët përdoren për kalimin nga njëri krah në tjetrin.

Në manastir, çdo vit më 15 gusht festohet edhe Festa e Shën Marisë, por këtë vit nuk dihet nëse do të zhvillohet apo jo, pasi ura është e dëmtuar.

Top Channel