F1, rikthehet buzëqeshja te Ferrari; Vettel triumfon në Hungari

26/07/2015 00:00

Ferrari rikthehet te fitorja dhe këtë gjë e bën në Çmimin e Madh të Hungarisë me Sebastian Vettel, i cili shkon në kuotën e 41 sukseseve, aq sa edhe legjenda Ayrton Senna.

Ka qenë një start perfekt që ka bërë gjermani i skuadrës Ferrari, duke parakaluar të dyja makinat Mercedes që në fillim. Dominimi i tij në këtë fundjavë u shoqërua nga strategjia perfekte e ‘kokëkuqes’ dhe pavarësisht makinës së sigurisë që ndërhyri në fund, Vettel nuk e rrezikoi asnjëherë vendin e parë.

Nuk rezistoi deri në fund Ferrari tjetër i Kimi Raikkonen, i cili gjithashtu bëri një start shumë të mirë dhe një garë perfekte. Makina e la atë në momentin e fundit duke patur një problem në sistemin hibrid që i kushtoi finlandezit tërheqjen nga gara.

Për Hamilton dhe Nico Rosberg situatat nuk patën fund. Në fillim Hamilton zbriti që në start në vendin e 10-të, më pas rikuperoi ndjeshëm dhe iu bashkua shokut të skuadrës Rosberg për të dueluar për vendin e tretë. Ndërhyrja e makinës së sigurisë 20 xhiro nga fundit nuk i solli aq fat.

Menjëherë pas largimit të saj, Hamilton u befasua nga Daniel Ricciardo me Red Bull dhe Daniil Kvyat, por dëmtoi makinën e u futu sërish në bokse për të ndryshuar pjesën e prishur.

Për Rosberg gjërat nuk shkuan më mirë, Ricciardo kërkoi me ngulm vendin e dytë dhe ja doli duke e parakaluar Rosberg, por duelet ishin aq agresive saqë gjermani i Mercedes shpoi gomën e australiani i Red Bull u detyrua të futej sërish në bokse, duke i dhuruar vendin e dytë shokut të skuadrës Kvyat, pozicione që i mbajtën deri në finish.

Ndërkohë, Hamilton e mbaroi garën i gjashti dhe Rosberg i teti.Me këtë Çmim të Madh të Hungarisë, Formula 1 mbyll pjesën e parë sezonale, duke shtyrë duelet e ardhshme pas një muaji  më 22 dhe 23 gusht me Çmimin e Madh të Belgjikës.

Top Channel