Vlorë, arrestohet në flagrancë për vjedhje 23-vjeçari

26/07/2015 00:00

Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë për vjedhje një 23-vjeçar, ndërsa rezultoi të ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se shtetasi Mariglen Myftaraj, banues në Berat, rreth orës 02:00 të së dielës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit, M.A., por është kuptuar  nga ky i fundit, i cili ka njoftuar policinë pa dijeninë e “hajdutit”. Menjëherë policia ka arritur në vendngjarje dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij. Mësohet se Myftaraj, para se të futej në banesën e këtij shtetasi, ishte futur edhe në një tjetër banesë, ku kishte marrë një orë dore dhe 35 mijë lekë.

Pas veprimeve hetimore është konstatuar se ky shtetas ishte i dënuar dhe vuante dënimin në burgun në Kosovë të Madhe, Belsh, nga ku ishte larguar me leje pesëditore më 15 korrik dhe nuk ishte kthyer më në vendin e vuajtjes së dënimit.

Top Channel