Përleshje në Jeruzalem. Trazirat largojnë rifillimin e procesit të paqes

26/07/2015 00:00

Trazirat e reja e bëjnë akoma më të largët rifillimin e procesit izraelito-palestinez të paqes të mbetur në vendnumëro.

Skena e përleshjeve të fundit mes palestinezëve e policëve izraelitë është bërë vendi i tretë më i shenjtë i islamit, xhamia Al aksa, ku efektivët e shtetit hebre hynë në kohën e lutjeve. Të rinj palestinezë u mbyllën brenda xhamisë e kanë nisur të qëllojnë me gurë agjentët që janë pëprjekur t’i ndalojnë.

Sipas mediave izraelite, palestinezët kishin pasur për qëllim të pengonin vizitat e hebrenjve në “murin e lotëve”. Policia këmbëngul se të rinjtë në fjalë ishin organizuar e kishin fshehur që të shtunën brenda në xhami gurë, fishekzjarre dhe bomba Molotov. Ka të dhëna për të plagosur nga të dyja palët, por numri nuk dihet ende me saktësi.

Xhamia Al aksa ndodhet në malin e tempullit, i njohur ndryshe edhe si Haram al-Sharif , i cili frekuentohet edhe nga hebrenjtë.

Sipas policisë, aktivistët palestinezë ngritën disa barrikada në hyrje të kompleksit me qëllim që të lëviznin lirisht brenda tij e t’i  pengonin hyrjen besimtarëve hebrenj. Nisur nga ashpërsia  e përleshjeve dhe përshkallëzimi i veprimeve të palës tjetër, me qëllim parandalimin e lëndimeve të tjera në radhët e punonjësve të sigurisë, forcat e rendit hynë brenda perimetrit të xhamisë e mbyllën portat e saj me rebelët ende brenda për të rivendosur në këtë mënyrë rendin, thuhet në deklaratën e lëshuar me këtë rast.

Ndryshe mendojnë palestinezët. Ajo që po ndodh në Jeruzalem bën të bien kambanat e alarmit për faktin se Izraeli po përpiqet ta tërheqë të gjithë rajonin në një luftë fetare, u shpreh Mahmoud Habash, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Mahmoud Abbas dhe kreu i drejtësisë në autoritetin palestinez.

“Sulmi ndaj faltoreve tona, vendeve tona të shenjta, i ndez edhe më shumë flakët e urrejtjes dhe agresionit ndaj Izraelit”, shtoi ai.

Zyrtarët palestinezë këmbëngulin se policia izraelite ka përdorur në xhami gaz lotsjellës dhe granata shurdhuese.

Top Channel