Chris Froome fiton edicionin e 102-të të Turit të Francës

26/07/2015 00:00

Chris Froome është fitues i edicionin të 102-të të Turit të Francës, duke e ngjitur Britaninë në majën më të lartë të podiumit të më të mirëve.

Froome zhvilloi një edicion fantastik duke e treguar se e meritonte që të kalonte mbi Champs Elysse , nën hijen e kullës Eifel dhe të Harkut të Triumfit. Përveç fanelës së verdhë, të cilën e mbajti për 16 ditë, në etapën e fundit ai mori edhe fanelën e malit. Britaniku e fiton këtë edicion për herë të dytë pasi triumfoi edhe në vitin 2013.

I dyti u rendit Nairo Quintana me vetëm 1 minutë e 12 sekonda, ndërsa i treti Alejandro Valverde me rreth 5 minuta më shumë se britaniku.

Fituesi i edicionit të kaluar të Turit të Francës, Vincenzo Nibali e mbylli në vendin e katërt, megjithatë ai ishte fitues i etapës 19.

Peter Sagan ishte ai që mori fanelën e pikëve, duke e mbajtur atë për 12 ditë me radhë, ndërsa Nairo Quintana është mbajtësi i fanelës për moshën më të re.

Ndërsa etapa e 21-të dhe e fundit e turit iu kushtua në mënyrë të veçantë të gjithë bukurive të Parisit dhe monumenteve në kryeqytetin francez. Por reshjet e shiut e prishën disi entuziazmin dhe e detyruan jurinë kryesore të turit ta shkurtojë me rreth 70 km këtë etapë. Fitues i saj u shpall gjermani Andre Greipel, për të cilin ishte fitorja e katërt këtë sezon në Turin e Francës.

Top Channel