Ishulli i Sazanit hapet për qytetarët dhe turistët

26/07/2015 00:00

Nga 25 Korriku, Ishulli i Sazanit është hapur për turistët vendas dhe të huaj si një destinacion turistik historik e natyror.

Dita e shtunë shënoi ditën e parë zyrtare për Sazanin, si destinacion i rëndësishëm turistik, ku një grup prej rreth 130 turistësh dhe të rinjsh nga vendi vizituan ishullin, ndërsa gjatë së dielës mbi 140 turistë nga Shqipëria, Kosova dhe të huaj kanë zhvilluar ture në ishull, shoqëruar nga guidat turistike.

Projekti për ishullin ishte prezantuar me herët nga Kryeministri Rama si një nga risitë e këtij sezoni turistik, ndërsa ministri Arben Ahmetaj, gjatë një turi me gazetarë në Sazan, deklaroi se korriku do të ishte muaji kur ishulli do të hapej për turistët.

Nga 25 korriku, ishulli do të jetë i hapur përgjatë gjithë sezonit turistik për këdo që ka kuriozitet ta vizitojë atë.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare tha se të ardhurat e mbledhura do të përdoren vetëm për Ishullin e Sazanit, për menaxhimin e zonës, për hapjen e qendrës së vizitorëve dhe për qendrën kërkimore shkencore që synohet të ngrihet.

“Po punojmë për kuadrin ligjor dhe për rregulloren që është hartuar dhe do të miratohet, ku do të caktohet edhe një biletë hyrje, sepse ne mendojmë që është shumë e rëndësishme që ishulli të vetë financohet. Pra, të gjitha të ardhurat do t’i dedikohen vetëm ishullit, ku pastaj këto të ardhura do të përdoren për restaurimin, për hapjen e qendrës së vizitorëve dhe për qendrën kërkimore shkencore që ne duam të themelojmë këtu dhe për menaxhimin e zonës”, tha Tare.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel