Vlorë, asgjesohen mbi 1.300 rrënjë kanabis sativa

27/07/2015 00:00

Forcat e policisë së qarkut Vlorë kanë asgjesuar në orët e fundit mbi 1.300 rrënjë kanabis sativa.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave bimët ishin kultivuar në 13 parcela, në dy fshatra të ndryshme.

Kështu, 9 nga parcelat u gjetën në fshatin Vajzë, ndërsa 4 të tjerat në fshatin Vodicë.

Si zakonisht, policia njofton se po punon për identifikimin e kultivuesve.

Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm në qarkun Fier, uniformat blu të komisariatit të Mallakastrës kanë asgjesuar 70 rrënjë kanabis.

Në një njoftim për shtyp bëhet me dije se në pranga ka rënë kultivuesi, shtetasi Ferik Tahiraj, 56 vjeç dhe banues në fshatin Lapulec.

Ndërkohë, nga policia e Kukësit, në pikën kufitare të Morinës, është bërë ndalimi i një 51-vjecari që ka tentuar të kalojë një sasi kanabisi drejt Kosovës.

Sipas burimeve lokale, në pranga ka përfunduar shtetasi Shkëlzen Ahmetaj, i cili është kapur me 10 kg kanabis.

Sasia e lëndës narkotike është zbuluar gjatë kontrollit të automjetit të tij, tip “Audi” me targë “AA 137 KF”, e fshehur në sediljen e pasme.

Top Channel