Turqi, Davutoglu: Nuk do dërgojmë trupa tokësore në Siri

27/07/2015 00:00

Kryeministri turk ka deklaruar se, Turqia nuk ka në plan të dërgojë trupa ushtarake tokësore në Siri për të luftuar kundër Shtetit Islamik.

Ahmet Davutoglu deklaroi se sulmet ajrore ndaj bazave të ISIS në afërsi të kufirit turko-sirian dhe ndaj separatistëve kurdë në Irak mund të “ndryshojnë lojën”.

Në një takim me gazetarët, Davutoglu tha se, pas sulmeve ajrore të Turqisë, në konfliktin rajonal janë krijuar “rrethana të reja”.

“Prania e Turqisë, e cila mund ta përdorë forcën e saj në mënyrë efikase, mund të çojë në pasoja që mund të ndryshojnë lojën në Siri, Irak dhe në tërë rajonin. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë”, deklaroi Davutoglu.

Aksionet ushtarake të Turqisë erdhën si përgjigje ndaj dy sulmeve terroriste të ndodhura javën e kaluar në këtë vend, një prej të cilëve në lokalitetin Suruç, ku humbën jetën 32 aktivistë.

Në orët e fundit tanket turke bombarduan fshatin kurd Zur Maghar në veri të Sirisë, duke plagosur të paktën 4 militantë, sipas një njoftimi të publikuar të hënën nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

Ndërkohë, NATO pritet të mbajë një takim të jashtëzakonshëm ditën e martë për të diskutuar mbi situatën.

Top Channel