Afganistan, masakër në mes të dasmës, 20 viktima

27/07/2015 00:00

Të paktën 20 persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në një shkëmbim zjarri që është verifikuar gjatë zhvillimit të një dasme në provincën e Baglanit, në veri të Afganistanit.

Shumica e viktimave raportohet të jenë mysafirë të dasmës, të cilët variojnë nga mosha 14 deri në 60 vjeç.

Forcat afgane të sigurisë janë dërguar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rritet.

Të shtënat filluan pasi i afërmi i një zyrtari policie mbeti i vrarë, tha një oficer i lartë i forcave të sigurisë për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Sipas burimit, rreth 400 persona ishin mbledhur për të marrë pjesë në dasmë, ku po martohej djali i një mullahu. Mes tyre ndodheshin edhe dy grupe që prej kohësh jetonin në armiqësi.

“Kur mblodhëm trupat ishte e kishim të vështirë të përcaktonim se cilët ishin autorët e të shtënave dhe kush jo, sepse nuk gjetëm dot asnjë armë”, deklaroi oficeri i policisë.

Provinca e Baglanit vuan nga dhuna e talebanëve, si dhe nga trazirat të lidhura me konfliktet lokale mes fiseve si dhe mes bandave të ndryshme kriminale.

Top Channel