Presidenti Nishani, konsultime me profesorët për ligjin e arsimit

27/07/2015 00:00

Bujar Nishani, ende nuk ka një qëndrim publik, nëse do ta dekretojë apo jo ligjin për arsimin e lartë. Megjithatë, edhe pse u tregua i kujdesshëm të mos mbajë krah politik, takimi me përfaqësuesit e universiteteve publike është lexuar si një sinjal, që Presidenti mund ta kthejë ligjin.

“Ne biem dakord dhe e themi shpesh që shteti shqiptar nuk vuan në kontekstin sasior dhe formal të legjislacionit. Kemi ligje të shumta të përfituara me asistencë teknike ndërkombëtare e me standarde. Problem mbetet implementimi i tyre. Por, nëse kanë defekt që në hartim, implementimi i tyre bëhet edhe më i vështirë dhe më i pamundur. Ju garantoj se, si President i Republikës, do t’i shoh jo vetëm me shumë kujdes, por edhe në kuptimin e reflektimit të thellë institucional, bazuar gjithmonë në frymën dhe gërmën e Kushtetutës”, u shpreh Presidenti Bujar Nishani.

Pothuajse të gjithë diskutuesit denoncuan ligjin, si bazë për shkatërrimin e autonomisë së arsimit të lartë publik, duke e vënë nën varësi të drejtpërdrejtë financiare të Ministrisë së Financave, çka sipas tyre shkel çdo normë kushtetuese dhe marrëveshje ndërkombëtare.

Por, mes përfaqësuesve të universiteteve publike nuk kishte unanimitet për këtë çështje. Rektorati i Vlorës dhe Politekniku i Tiranës ishin pro ligjit dhe debatet nuk munguan.

“Unë vlerësoj se, ky ligj mundëson një edukim bashkëkohor dhe një organizim të universiteteve me parime europiane”, tha rektori i Universitetit të Vlorës.

“Kjo është as më pak dhe as më shumë rivendosje e privilegjeve dhe kastave të para 4 gushtit jo të 1989-s, por të 1789-s”, kundërshtoi sërish Artan Fuga.

“Unë po them që Universiteti Politeknik i Tiranës nuk ka nevojë fare për mbështetje financiare. Fare s’ka nevojë dhe është një risi që bie në dukje, e nxjerr universitetin si aktor në ekonominë e tregut”, tha rektori i Politeknikut të Tiranës.

“Ne nuk mund të shkojmë me këmbë në gojë drejt vdekjes, sepse qeveria na ka ofruar një ligj, që në themel dhe strukturë e shkatërron sistemin e arsimit të lartë publik në Shqipëri”, u shpreh një tjetër zë kundërshtues, Mark Marku.

Ka edhe një pikëpamje tjetër për skemën financiare, që sipas Artan Fugës dënon të rinjtë me tarifa të shtrenjta e të papërballueshme dhe ky, sipas Fugës, është një aspekt përse Presidenti duhet ta kthejë ligjin.

“Tarifë aplikimi, konkurrimi, regjistrimi, shkollimi, studimi. Studentët janë të uritur zoti President”, mbylli fjalën e tij Artan Fuga.

Top Channel