Rama: Komisariati Dixhital, histori suksesi. Ja projekti i radhës për policinë

27/07/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama në analizën e 10 javëve të funksionimit të Komisariatit Dixhital ka deklaruar se besimi i publikut tek Policia e Shtetit është rritur, por mbetet ende objektivi më i vështirë për të cilën qeveria do të vazhdojë të punojë.

“Ishte me rëndësi të kurorëzonim këtë moment publikisht për të vazhduar të punojmë në një drejtim që është drejtimi më i vështirë, ai i ndërtimit të vazhdueshëm të besimit të qytetarëve, që nëse angazhohen në një bashkëpunim me policinë ia vlen. Nuk është një mundim i kotë dhe nuk është një përpjekje pa rezultat. Përkundrazi është një mundim që ia vlen dhe përpjekje me rezultat. Sot ishte një moment për të bërë një bilanc të kësaj strukture të re, që është thjesht një aplikacion, por që në dhjetë javë ka përfshirë një numër shumë të madh qytetarësh, në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për të parandaluar apo ndëshkuar sjellje të pahijshme”, ka thënë Rama.

Në 10 javë të funksionimit të Komisariatit Dixhital, ka vijuar më tej Rama, aplikacioni është shkaruar 45 mijë herë dhe janë bërë 14 mijë denoncime.

“Thelbi është krijimi i këtij institucioni virtual në smartphone-in e çdo qytetari. Çdo qytetar që e ka shkarkuar këtë aplikacion ka sjellë një vlerë të shtuar dhe një rëndësi të madhe për Policinë e Shtetit. Ka ende vend për përmirësime nga pikëpamja e reagimit, monitorimit, qoftë të ankesave dhe denoncimeve, qoftë edhe të cilësisë së reagimit, por është e sigurtë se nëse vendosim këtë gur themeli, pa asnjë dyshim gur gur do të ngrihet një mur i madh i përbashkët mes institucionit, policisë dhe qytetarëve, për të frenuar jo vetëm krime që çojnë në humbjen e jetëve, por dhe sjellje të këqija që bien ndesh me ligjin”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka prezantuar edhe projektin e radhës për Policinë e Shtetit, i cili do të jetë lidhja online e efektivit në terren me sallën operative.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij ka vlerësuar se, qëllimi i kësaj nisme dixhitale u arrit pasi reagimi ndaj çdo denoncimi ka qenë në kohë reale. “Ky është një instrument që nuk njeh të pabarabartë, nuk njeh korrupsion, nuk njeh kufizim në kohë, nuk njeh ndalesa. Është një instrument që të ndryshon mënyrën tënde të të perceptuarit në raport me njerëzit, me institucionet dhe në veçanti me Policinë e Shtetit. Është kjo arsyeja përse Komisariati Dixhital është një histori suksesi”, ka thënë Tahiri. 

Top Channel