Dako: “Durrësi nuk është braktisur, më shumë turistë e plazhe më të pastra këtë vit”

27/07/2015 00:00

Përkundër zërave se Durrësi është braktisur këtë sezon nga pushuesit, kryesisht nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako thotë se numri i turistëve ka ardhur në rritje nga viti në vit, e sipas tij hotelet më të mëdha dhe shtëpitë që jepen me qira për turistët po prenotohen çdo ditë e më tepër.

“Unë dua t’ju theksoj që gjithë hotelet e mëdha të qytetit të Durrësit janë të prenotuara nga turistë të cilët vijnë nga Bosnja, Polonia, Sllovakia, pra nga vende që më parë nuk e njihnin Shqipërinë, por edhe hotelet, shtëpitë rezidenciale që përdoren për dhënie me qira për turistët nga Kosova apo vendet përreth, kanë çdo ditë e më tepër pushues”,- nënvizon Dako.

Sipas tij, Durrësi ofron këtë sezon më tepër shërbime e kushte infrastrukturore më të mira.

“Falë investimit të Bankës Botërore të një kolektori që mbledh gjithë ujërat e zeza, i cili ka përfunduar, unë ju garantoj që në plazhin e Durrësit nuk ka më derdhje të ujërave të zeza në det. Ky është një sukses të cilin ne do ta vazhdojmë për ta mirëmbajtur që të mund të kemi një plazh sa më të pastër. Do të vazhdojmë investime të tjera për të përmirësuar jo vetëm detin por edhe rërën. Punojmë çdo ditë për pastrimin e qytetit dhe ajo që është më e rëndësishme, deri vitin e ardhshëm, problematika e furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë zgjidhur”.

Të dhënat e fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për ujërat e bregdetit shqiptar tregojnë se plazhi i Durrësit ka një përmirësim të ndjeshëm. Nga 21 pika të monitoruara, në vitin 2014 kanë qenë vetëm 11 stacione me cilësi të lartë, ndërsa këtë vit ky numër ka shkuar në 16.

Top Channel