Kosovë, përplasje mes qeverisë dhe opozitës për ish-kreun e Kushtetueses

27/07/2015 00:00

Imuniteti i ish-kryetarit të Gjykatë Kushtetuese, Enver Hasani, ka përplasur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës me deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila udhëheq Komisionin për Legjislacion.

Pas një debati të ashpër, deputetët e PDK-së janë larguar nga mbledhja. Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, si dhe deputetja e PDK-së, Selvije Halimi, shkëmbyen akuza për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Sistemin e drejtësisë po e pengojnë telefonatat e politikanëve të PDK-së, që po u telefonojnë gjyqtarëve duke u thënë se cilët lëndë t’i shtyjnë përpara. Prej kësaj çështje po vuan sistemi i drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët thirren nga zyrtarët e PDK-së për të avancuar ose jo një çështje. Ju e keni degraduar sistemin e drejtësisë”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, VV.

“Tregoi emrat se kush janë ata. Mos më detyro të tregoj rastin, ku ke qenë t’i që ke telefonuar. Zonja Haxhiu, mos më detyro t’i numëroj rastet, ku telefonon ti në sistemin e drejtësisë”, tha Selvije Halimi, deputete e Komisionit për Legjislacion, PDK.

“Nuk po e kuptoj, pse po e mbron kaq shumë Hasanin. Sa herë është përmendur këtu, Hasani ka pasur avokat kryesisht të PDK-së, të cilët e kanë mbrojtur. Ai ka kryer vepër penale dhe duhet të përgjigjet për të gjitha veprat penale që ka kryer”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit.

“Kryetare, të lutem mos dil nga thelbi i problemit. Mos u fut me kualifikime politike tani, kur ne kemi një çështje tepër të ndjeshme. Ta them unë si juriste, është e ndieshme. Zonjë e nderuar je vazhdimisht njëra prej njerëzve ndoshta më të fuqishëm momentalisht, që thua se sistemi i drejtësisë duhet të jetë jopolitik, duhet të jetë i pavarur nga politika. Atëherë, pse si kryetare lejon ndërhyrje?”, tha Selvije Halimi, deputete e Komisionit për Legjislacion, PDK.

Pas debatit dhe votimit të draftit të nënkomisionit, deputetët e PDK-së u larguan nga mbledhja.

Në mbledhjen e së hënës, Komisioni për Legjislacion ka refuzuar propozimet e Ministrisë së Kthimit, për emërime të anëtareve të këshillit të agjencisë për ndihmë juridike falas, për shkak se shkresa ishte bërë me shkronja cirilike serbe.

Top Channel