Maqedoni, Zaev: Përgjimet për “Mostrën” do t’ia dorëzoj prokurorit special

27/07/2015 00:00

Kreu i opozitës maqedonase, që u bë i njohur nëpërmjet publikimit të bisedave të përgjuara telefonike, Zoran Zaev ka folur sërish për përgjimet që kanë të bëjnë me rastin “Monstra”, apo me vrasjen e pesë maqedonasve, për të cilën vepër u dënuan 7 shqiptarë me burgim të përjetshëm.

Zaev, për mediat maqedonase, ka deklaruar se edhe përkundër marrëveshjes politike, e vërteta për rastin “Mostra” do të shpaloset.

“Askush nuk ka të drejtë të fshehë të vërtetën, edhe e vërteta për këtë rast, si edhe të vërtetat tjera që kemi paralajmëruar, do të arrijnë deri te opinioni publik”, ka pohuar Zaev.

Kreu i opozitës ka paralajmëruar se prokurorit special do t’i dorëzohen të gjitha materialet nga përgjimet.

“Prokurori special do të ketë legjitimitetin e plotë për të vepruar. Ashtu që përmes këtij institucioni të pavarur do të dihet e vërteta”, ka deklaruar Zaev.

Përndryshe, kryetari i partisë opozitare maqedonase LSDM, Zoran Zaev kishte paralajmëruar se do t’i publikojë edhe bisedat e përgjuara telefonike që kanë të bëjnë me rastin “Monstra”.
 
Por, ai nuk e bëri këtë gjë dhe me marrëveshjen e fundit politike për daljen e Maqedonisë nga kriza, është vendosur që të ndërpritet publikimi i mëtejmë i këtyre përgjimeve.

Mospublikimi i “bombës” më të përfolur për rastin “Monstra”, ka nxitur shumë debate dhe ka irrituar shqiptarët e Maqedonisë.

Nuk kanë munguar as vlerësimet e opinionistëve shqiptarë se Zaev ka manipuluar me ndjenjat e shqiptarëve dhe se rastin “Monstra” e ka përdorur për t’i bërë shantazhe koalicionit qeverisës DPMNE-BDI.

Top Channel