Mbyllen hetimet për Becchetti-n. Ja akuzat ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve

27/07/2015 00:00

Gati një muaj e gjysmë pas lëshimit të urdhërsekuestros për kompanitë e biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe urdhërarrestit për të, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet në ngarkim të tij dhe 4 personave të tjerë të dyshuar në këtë dosje.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, tashmë dosja voluminoze është gati dhe pritet vetëm komunikimi i akuzës ndaj të pandehurve. Sipas dosjes së Prokurorisë, mbi sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, pronar i “Agon Channel”, do të rëndojnë 3 akuza: ajo e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitim të paligjshëm të parave” dhe akuza e “pastrimit të parave”.

Ndërkaq mbi ortakun e tij, Mauro De Renzi, Prokuroria ka ngritur akuzat e “pastrimit të parave”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “mospagim taksash”, si dhe për “kontrabandë me qëllim shmangien e detyrimit doganor”.

Akuza e “pastrimit të parave” është ngritur dhe për nënën e Becchettit, Liliana Condomittin, ndërsa mbi Stavri Peçin dhe Elona Troplinin rëndojnë akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”.

Gjithçka ka nisur pas një hetimi të gjatë të policisë, dosja e të cilës më pas i është kaluar Prokurorisë, që në qershor ka sekuestruar – pas lejes së dhënë nga gjykata, – 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”; shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”; si dhe bllokoi llogaritë bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzi dhe Elona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.

Grupi hetimor bën të ditur se ka provuar skemën, përmes së cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit. Sipas tyre, në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimit të parave, qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

Top Channel