Vlorë, operacion i Tatimeve kundër informalitetit në tregti e shërbime

27/07/2015 00:00

Në Vlorë, vijon operacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Policisë së Shtetit, për konstatimin e shkeljeve në fushën e tatim-taksave. Gjatë 3 ditëve të fundit është ushtruar kontroll në 226 subjekte gjithsej.

Gjobat e vendosura në 126 subjekte kapin shifrën e mbi 9.6 milionë lekëve. Nga kontrolli janë evidentuar 68 shkelje. Në 17 prej tyre u mor masa administrative “konfiskim malli”, ndërsa 51 subjekte të tjera u ndëshkuan me gjobë.

Ndër mallrat e konfiskuara janë pije alkoolike, pije freskuese, produkte farmaceutike, produkte kozmetike, materiale ndërtimi pa leje dhe një supermarket. Po ashtu është proceduar për “fshehje të ardhurash” administratori i hotel “Royal”.

Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë vazhdon hetimet për punonjësit e organeve tatimore, për moskryerjen e detyrës, për mosushtrimin e kontrollit ndaj këtyre subjekteve, të cilat janë në kundërshtim me ligjin.

Top Channel