Obama në Etiopi: Vlerësoj rolin tuaj në luftën kundër terrorizmit

27/07/2015 00:00

Pas vizitës dyditore në Kenia, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka qëndruar në Etiopi, ku është pritur nga kryeministri i këtij vendi, Hailemariam Desalegn.

Në vizitën e parë të një Presidenti të SHBA-vë në këtë vend, Obama ka vlerësuar rolin e Etiopisë në luftën kundër militantëve islamikë, saktësisht kundër grupit Al-Shabab, që lidhet me Al-Qaedan.

“Kur është fjala tek terrorizmi nuk përmbahem shumë. Ne nuk kemi nevojë që të dërgojmë marinsa në luftë, pasi Etiopia është duke zhvilluar një luftë të fortë dhe Kenia e Uganda janë shumë serioz në veprimet e tyre”, u shpreh Obama në konferencën për shtyp në kryeqytetin Addis Ababa.

Kryeministri Hailemariam ka thënë se vizita e Obamas çon në një nivel tjetër marrëdhëniet mes vendit të tij dhe SHBA-ve.

Megjithatë, një grup i të drejtave të njeriut ka kritikuar Presidentin amerikan Obama për vizitën e tij në këtë vend. Sipas tyre, ai po legjitimon një qeveri që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe që vazhdimisht shantazhone e vret gazetarët.

Por, gjatë konferencës Obama u shpreh se qeveria e re Etiopisë ka dalë nga zgjedhje demokratike, ndërsa në akuzat për vrasje të gazetarëve, kryeministri Desalegn tha se vendi ka nevojë për “gazetarë të civilizuar” dhe jo për “gazetarë të lidhur me grupe terroriste”.

Top Channel