Gjakovë, vdes elektriçisti. Ish-luftëtari i UÇK-së po punonte në një shtyllë të tensionit të lartë

27/07/2015 00:00

Të hënën rreth orës 10:00 ka humbur jetën tragjikisht Uliks Bicurri, punëtor i kompanisë për Distribuim dhe Furnizim të energjisë elektrike KEDS, teksa po punonte në një shtyllë të tensionit të lartë.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, prej nga edhe është viktima.

Komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, Kristë Gjokaj konfirmoi përmes telefonit për Top Channel se viktima është Uliks Bicurri, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Gjokaj tha se në bazë të deklaratave të punëtorëve të tjerë që ishin me viktimën, shkaktar i vdekjes është energjia elektrike, çka është konstatuar edhe nga mjeku kujdestar.

Ai shtoi se trupi është dërguar për autopsi në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë. Uliks Bicurri ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Top Channel