Minatorët, PD: Rama i ka braktisur, as nuk i ngushëllon

27/07/2015 00:00

Pas ngjarjes së rëndë në Bulqizë, të ndodhur paraditen e së hënës, ku humbi jetën një minator, ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila ka akuzuar kryeministrin e vendit, Edi Rama, se jo vetëm ka braktisur minatorët, por nuk gjen kohë as për ngushëllime.

Pasi shprehu keqardhjen në emër të PD-së për vdekjen e minatorit Mehmet Dardha, gjatë ditës së sotme në Bulqizë, si dhe ngushëlloi familjarët e tij, deputetja Vokshi ka denoncuar nga selia blu neglizhencën dhe braktisjen totale të minatorëve nga qeveria e sotme, një kategori që siç tha ajo punon vazhdimisht në kushte ekstreme për të mbajtur me bukë familjet e tyre.

“Prej dy vitesh, numri i minatorëve që kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës ka arritur në nivele të frikshme dhe, megjithëse ngjarjet e rënda po përsëriten, qeveria dhe Edi Rama vazhdojnë të tregojnë mungesë ndjeshmërie, mungesë masash për siguri e kushte të mira pune, duke i lënë minatorët në harresë”.

Deputetja Vokshi e ka konsideruar madje hipokrizi të kryeministrit dhe njerëzve përreth tij, sjelljen e dikurshme në opozitë, kur siç tha nxitonin të përfitonin politikisht për çdo vdekje minatori dhe përbetoheshin për ndryshimin e gjendjes së tyre me të ardhur në pushtet.

“Sot ka përkeqësim dhe për dy vite ka 23 jetë të humbura nëpër galeri, më shumë se në dy dekada së bashku. Ndërsa Edi Rama nuk gjen kohë as për të shprehur ngushëllime”, deklaroi Vokshi.

Top Channel