Britani-Indonezi, marrëveshje për të luftuar Shtetin Islamik dhe terrorizmin

27/07/2015 00:00

Britania e Madhe dhe Indonezia kanë rënë dakord për masat e nevojshme për të luftuar “armikun e përbashkët”, siç e ka cilësuar kryeministri britanik David Cameron, referuar ekstremizmit të Shtetit Islamik.

Cameron, i cili ndodhet në Indonezi në ditën e parë të turit katërditor në Azinë Juglindore, tha se 50 oficerë policie nga Indonezia do të trajnohen mbi teknikat e antiterrorizmit në Britani. Ai premtoi gjithashtu ndihmë nga vendi i tij për të rritur sigurinë në aeroportet e Balit dhe Xhakartës.

Veç ekstremizmit, Cameron ka bërë të ditur se mund të arrihen edhe marrëveshje tregtare me vlerë prej rreth 750 milionë paundësh, apo 1,2 miliardë dollarë gjatë udhëtimit të tij. Por, kryeministri britanik e ka pasur tejet të vështirë të flasë në lidhje me çështjen e britanikes Lindsay Sandiford, e cila ndodhet në radhën e ekzekutimeve me vdekje për shkak të trafikimit të një sasie kokaine me vlerë 1,6 mln paund, duke thënë se do të dëgjojë shqetësimet e familjes së saj dhe do ta ngrejë këtë çështje gjatë udhëtimit.

Duke folur nga pallati presidencial në Xhakarta, Cameron, i cili u takua me Presidentin indonezian Joko Widodo, tha se Shteti Islamik përbën “një kërcënim djallëzor” për të dy kombet.

“Kemi rënë dakord të përshkallëzojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të ndalur kërcënimet terroriste dhe për të luftuar retorikat ekstremiste”, u shpreh Cameron. Ai deklaroi se Britania e Madhe do të “kërkojë të mësojë” nga qasja e Indonezisë në luftën kundër ekstremizmit “me një program shkëmbimi mes udhëheqësve fetarë dhe komunitarë në vendin aziatik por edhe në Britani, për të nxitur një mirëkuptim edhe më të mirë”.

Shteti Islamik dhe grupe të tjera militantësh xhihadistë kanë përdorur propagandë edhe në gjuhët lokale të rajonit, ndërsa mbështetja ndaj tyre mendohet të jetë duke u rritur ndërkombëtarisht. Kërcënimi nga terrorizmi do të diskutohen gjithashtu edhe me kryeministrin e Malajzisë, Najib Razak, më vonë gjatë turit.

Top Channel