Qytetarët marrin në duar fatin e Romës

27/07/2015 00:00

Edhe pse Roma është një qendër  turistike e mikluar nga pushuesit çdo sezon të vitit, këtë herë duket se gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë për qytetin.

Përveç objekteve të trashëgimisë kulturore që Roma ka ruajtur ndër shekuj, dihet se mirëmbajtja e tyre është një proces me shumë rëndësi për të ruajtur traditën. Por kohët e fundit, Roma që pret miliona vizitorë në ditë është lënë pas dore, ku një pjesë e madhe e italianëve ia drejtojnë gishtin e fajin kryebashkiakut.

Ignazio Marino, është nën presion të madh për të dhënë dorëheqjen, sepse siç përshkruajnë vendasit qyteti ka një mungesë të madhe higjiene. Sipas tyre, tani mungojnë shërbimet minimale të jetesës, papastërtia ka mbuluar çdo cep, transporti publik që përfshin autobusët, metrotë dhe tramvajet janë  në ditët më të këqija.

Një pjesë e turistëve shprehen të shqetësuar nga minjtë që hasin nëpër qendra historike, si Koloseu apo rreth Fontana di Trevi.

Por, në shenjë të lartë civilizimi, banorët e Romës nuk kanë qëndruar duarkryq përballë këtij problemi jetësor, siç e kanë konsideruar shumica.

“Lidhet drejtpërdrejtë me shëndetin tonë”, thotë një vajzë, Valentina Coti.

Ndaj të gjithë kanë organizuar një fushatë vullnetare pastrimi nën logon “Romasonoio”, pra “Roma jam unë” dhe me doreza nëpër duar kanë pastruar qytetin në çdo lagje. Ky, sipas tyre, është edhe një mësim i mirë për qeverinë.

Nisma u mor nga aktori italian Alessandro Gassmann, i cili u kërkoi bashkëqytetarëve të reagonin. Në fakt, Roma është një nga qytetet me taksat më të larta për shërbime publike, edhe pse për romakët kjo është një burokraci e madhe.

Dëshira për të “marrë përsëri”  përsëri qytetin në dorë është paraqitur me entuziazëm në mediat ndërkombëtare, ashtu sikurse më herët, disa gazeta prestigjioze flisnin për një degradim të mundshëm të qytetit nga korrupsioni. Por, sfidë për vendin mbetet fakti se qyteti do të presë më shumë se 30 milionë pelegrinë nga dhjetori, fillimi i vitit jubilar të shpallur nga Papa Françesku dhe deri atëherë ata duan ta kthejnë Romën në prestigjin e mëparshëm.

Top Channel