Gjendet një nëndetëse në brigjet e Suedisë, dyshohet të jetë ruse

28/07/2015 00:00

Autoritetet në Suedi kanë nisur një hetim mbi mbetjet e një nëndetëseje që është gjetur në ujërat territorialë të vendit.

Ushtria e vendit nordik deklaron se po studion disa pamje filmike të realizuara nga polumbarët suedeze në bregun lindor të vendit.

Zhytësit deklarojnë se bëhet fjalë për një nëndetëse të vogël ruse, referuar gërmave cirilike të gjetura në trupin e mjetit lundrues.

Vitin e kaluar, ushtria suedeze u angazhua në një kërkim të gjerë për një nëndetëse ruse që dyshohet se kishte hyrë në ujërat e saj.

Megjithatë, sot ushtria e vendit nordik tregohet më e rezervuar duke thënë se, është ende herët të dilet në përfundimin që mjeti të jetë një nëndetëse.

Zëdhënësi Jesper Tengroth deklaroi të hënën se, “do të ishte më mirë të dilnim me fakte sesa spekulime”.

Më herët, polumbarët e kompanisë “Ocean X” njoftuan përmes një deklarate se kishin gjetur “një nëndetëse ruse, jo shumë larg brigjeve të Suedisë, 20 metra të gjatë dhe 3.5 metra të gjerë”.

“Ende nuk dihet sesa i vjetër mjeti i gjetur është dhe prej sa kohësh ndodhet në det, por gërmat e sllavishtes së vjetër në lëvore tregojnë se është ruse”, thuhej në deklaratë.

Top Channel