SHBA heqin Kubën nga lista e vendeve të trafiqeve

28/07/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë hequr Kubën nga lista e vendeve që kanë dështuar në luftimin e tafikut të qënieve njerëzore.

Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit ku njoftohej kjo lëvizje e administratës amerikane vjen një javë pasi Uashingtoni dhe Havana rivendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.

Nënsekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall deklaroi se Kuba ka bërë progres në luftimin e trafikut të qënieve njerëzore për qëllime prostitucioni.

Por, shtoi zyrtarja, shqetësimet mbeten të larta sa i takon dështimit të vendit në zgjidhjen e punës së detyruar.

“Qeveria e Kubës nuk përmbush as standardet minimale për eleminimin e trafikut, por megjithatë ajo po bën përpjekje të forta”, deklaroi Sewall.

Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu të hiqnin edhe Malajzinë nga lista e vendeve që kanë dështuar në këtë drejtim, një lëvizje kjo e kritikuar ashpër nga grupet e të drejtave të njeriut.

“Të dhënat që zotërojmë tregojnë se përpjekjet e Malajzisë për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore janë shumë larg të qenit të mjaftueshme për të bërë një lëvizje të tillë”, deklaroi Human Rights Watch në një deklaratë.

Top Channel