Meta: Për herë të parë fëmijët në Ulqin do të mësojnë me abetaren e njehësuar

28/07/2015 00:00

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta është takuar me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka. Për herë të parë këtë shtator tha Meta, fëmijët e Ulqinit do të mësojnë abetaren e njehësuar mbarëkombëtare që do të jetë vazhdimisht një mbështetje nga Shqipëria.

“Për ne të gjithë shqiptarët kudo ku jemi, Ulqini është një qytet mjaft i rëndësishëm dhe mjaft i dashur. Për herë të parë në këtë shtator, fëmijët e Ulqinit do të mësojnë abetaren e njehsuar mbarë kombëtare që do të jete vazhdimisht një mbështetje nga Shqipëria. Ne do të ecim në rrugën e rritjes së bashkëpunimit dhe jo vetëm në fushën e arsimit, në fushën e kulturës që janë mjaft esenciale dhe bazike, por edhe patjetër në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe të komunikimit që lidh Ulqinin dhe këtë pjesë të Malit të zi me Shqipërinë”, tha z. Meta.

Më pas kreu i Kuvendit ka marr pjesë në çeljen e panairit të 15-të të librit në Ulqin. Ai vlerësoi këtë panair, duke e u shprehur se është një bashkim i fuqishëm për të ardhmen e përbashkët në BE.

“Përshëndes iniciatorët e kësaj nisme për bashkimin që na ofrojnë përmes librit, përmes kulturës, që është një bashkim mjaft i fuqishëm e domethënës për të ardhmen tonë të përbashkët në BE. Unë besoj shumë tek fuqia e librit, tek fuqia e kulturës dhe jam i bindur se librat më të mirë, e bëjnë botën më të mirë dhe i ndihmojnë njerëzit që të bashkojnë vlerat e tyre më të mira”, u shpreh Meta.

Panairi i 15-të i librit në Ulqin u çel më 26 korrik dhe do të jetë hapur deri më 4 gusht në shëtitoren e Plazhit të Vogël në qytetin e Ulqinit.

Top Channel