Pas raportit të DASH, Ambasada e SHBA-ve: Turp, trafikantë në Parlament

28/07/2015 00:00

Ndërsa raporti i Departamentit amerikan të Shtetit nënvizonte praninë e një deputeti të dënuar për trafikimin e qenieve njerëzore, Ambasada amerikane në Tiranë, një ditë më pas e konsideron këtë të turpshme.

“Ambasada vlerëson si të turpshme, faktin që ka një anëtar të Parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”.

E njohur për deklarimet e forta për të zgjedhurit me rekorde kriminale, selia diplomatike e Uashingtonit garanton se nuk do të lërë në hije këtë çështje, duke qenë aktive në raport me partitë në Shqipëri për pastrimin e skenës politike dhe publike.

“Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike, që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.

Deklarata e Ambasadës amerikane, që në krye sqaron se bëhet në interesim të medias shqiptare për raportin e DASH. Përfaqësia diplomatike më e rëndësishme në Tiranë bën të ditur se, raporti vlerëson se Qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut.

“Ne nxisim Qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje, për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve, nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”.

Top Channel