Basha: Raporti i DASH, dekriminalizimi është i pari. Rama-Meta i rehabilituan dhe u dhanë pushtet kriminelëve

28/07/2015 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar paraditen e së martës lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit mbi trafikun e qënieve njerëzore. Në komunikimin me mediat, Basha është shprehur se, ky raport është pasqyrimi më i mirë i situatës në të cilën ndodhet Shqipëria.

“Ky raport është fotografia e vërtetë e përmasave tronditëse, e përmasave në rritje dhe e larmisë së shtuar të këtyre krimeve në Shqipëri. Por Shqipëria është rasti unikal kur trafikantët e qenieve njerëzore, tutorë të vajzave shqiptare të shndërruara në skllave të prostitucionit, emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë dhe shefa të rëndësishëm në poste kyçe nga kryeministri Edi Rama dhe ortaku i tij, Ilir Meta”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, kjo është arsyeja kryesore që trafiku dhe shfrytëzimi për qëllime seksuale i qënieve njerëzore, jo vetëm i grave dhe vajzave por edhe i fëmijëve, ka njohur një përhapje kaq të gjerë në këtë periudhë.

“Sepse krimi është veshur me pushtet dhe pushteti është veshur me krim. Të gjitha të ashtuquajturat masa të imponuara nga standardet dhe faktori ndërkombëtar kanë rezultuar sterile dhe demagogjike përsa kohë trafikantët kanë status të privilegjuar në qeverinë Rama-Meta”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, PD do të vazhdojë betejën e saj për dekriminalizimin e institucioneve, pasi në krah ka aleatët e saj strategjikë, “SHBA që na është gjendur në ditët më të vështira dhe Bashkimin Evropian ku duam të integrohemi”, ka thënë Basha.

“Edi Rama, që e ka krijuar problemin, nuk mund të fshihet pafund prapa gjethes së fikut. Tashmë, bota mbarë e ka të konfirmuar të vërtetën tronditëse të gradimit të trafikantëve me pushtet, deri në ligjvënës e kryetarë bashkish nga Rama dhe ortaku i tij”, ka vijuar Basha.

Raporti i DASH, sipas tij, është nga kjo pikëpamje një burim referencial për çdo qeveri dhe institucion euroatlantik e më gjerë. Por, “dyshja Rama-Meta nuk flet sepse janë ata vetë që i qëmtuan dhe i sollën trafikantët dhe kriminelët e dënuar apo në kërkim”.

“Janë ata që mbrojtën, rehabilituan e kandiduan Ndokën, Prengën, Frrokun, Bushin, Roshin, Peçin, Ndonin dhe dhjetëra të tjerë e duke sfiduar hapur publikun, opozitën dhe aleatët tanë amerikanë dhe europianë”, ka shtuar Basha.

Top Channel