NATO mblidhet për Sirinë, Turqia kërkon mbështetje për sulmet

28/07/2015 00:00

28 vendet anëtare të NATO-s zhvillojne sot një takim të jashtëzakonshem ku do të diskutohet fushata e Turqisë kundër Shtetit Islamik dhe militantëve kurdë.

Ishte Ankaraja ajo që e kërkoi takimin pas një ndryshimi të menjëhershëm të qëndrimit të saj kundrejt konfliktit sirian.

Partnerja deri tani vonë ngurruese në koalicionin anti-ISIS të udhëhequr nga Amerika, prej disa ditësh ka nisur të bombardojë pozicionet e Shtetit Islamik në vendin fqinj dhe sipas pohimeve të kryeministrit Ahmed Davutoglu, pret nga aleatët e NATO-s të tregojnë solidaritet dhe mbështetje ndaj nismës së saj.

Faktorë në këtë ndryshim kursi të Ankarasë, sipas ekspertëve, janë edhe planet ende të pashpallura zyrtarisht për krijimin e një zone të pastër, pa praninë e militantëve të ISIS-it përgjatë kufirit të saj me Sirinë, çka do të realizohet në bashkëpunim me Uashingtonin.

Përpos shënjestrimit të xhihadistëve, kjo do t’i lejonte edhe goditjen e pozicioneve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Në sytë e Turqisë, mes ISIS dhe PKK-së nuk ka ndonjë ndryshim të madh; që të dy këto grupe i konsideron organizata terroriste.

Problemi është që vala e sulmeve ndërkufitare turke nuk ka shënjestruar vetëm ekstremistët, por edhe luftëtarët kurdo-sirianë, të cilët janë duke luftuar me militantët e ISIS në Siri e Irak.

Qeveria turke e ka mbyllur për një kohë të gjatë njërin sy përballë avancimit të Shtetit Islamik dhe sipas disa raporteve, dhe i ka mbështetur xhihadistët që i kundërviheshin regjimit të Bashar al Assad.

Por një sërë veprimesh të militantëve, e sidomos sulmi kamikaz i Suruçit, e kanë nxitur më në fund Ankaranë të hidhet në aksion. Kritikët besojnë megjithatë se Turqia po i përdor sulmet ndaj ekstremistëve vetëm si maskim për qëllimin e saj të vërtetë, që është goditja e një armiku të vjetër: kurdët.

Ngurrimi i Ankarasë për ta sulmuar më parë ISIS, sipas këtyre zërave, ishte në fakt ngurrim për të ndihmuar kurdët që luftonin kundër Shtetit Islamik dhe tani që mund t’i bombardojë të dyja palët, Turqia është e gatshme të përfshihet në betejë.

Top Channel