Raporti i DASH, Ministria e Brendshme: Kemi bërë përmirësime. Kritikuesit ta lexojnë mirë

28/07/2015 00:00

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea tha se, raporti në tërësi është vlerësues për punën e Policisë në drejtim të luftës ndaj trafikut të njerëzve. Ajo tha se, ata që bëjnë kritika në drejtim të punës së Policisë në këtë fushë duhet ta lexojnë mirë raportin.

“Në këtë raport renditen më shumë se 22 arritje konkrete në përpjekjet e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Kujtojmë këtu se vendi ynë, që prej vitit të kaluar, kur doli nga lista e vendeve nën vëzhgim dhe u vendos në kategorinë 2, renditet sërish në kategorinë e vendeve që kanë rritur përpjekjet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit. Mjafton të kujtoj se gjatë qeverisjes së kaluar, Shqipëria ka qenë dy herë në listën e vendeve nën vëzhgim, për të kuptuar punën e madhe që duhet bërë për të arritur rezultate të qëndrueshme. Ata që bërtasin sot për përmbushjen e standardeve tregojnë se, më e pakta nuk e kanë lexuar raportin dhe aq më tepër të njohin kriteret e klasifikimit sipas Protokollit të Palermos. Këta që sot bërtasin me deklarata politike nuk kanë përmbushur plot 6 herë standardet minimale dhe dy herë kanë dështuar totalisht në këtë drejtim, duke e renditur Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim, ashtu sikurse e gjetëm kur morëm detyrën. Fakti që strukturat e Policisë kanë shtuar rastet e identifikimit të viktimave të trafikimit tregon qëndrueshmëri dhe efikasitet të strukturave të Policisë”, u shpreh Elona Gjebrea, numri dy i Punëve të Brendshme.

Top Channel