Mitrovicë, ndërpriten gërmimet për varrin masiv të dyshuar. Shkak gazrat e nëntokës

28/07/2015 00:00

Gërmimet, që nisën këtë të martë në jug të Mitrovicës, ku po dyshohet për një varrezë masive, janë ndërprerë, për shkak se një nga punëtorët e pranishëm ka pasur probleme me frymëmarrjen.

Kjo ka ndodhur pasi punëtorët nuk janë të pajisur me mjete për mbrojtjen nga monoksidi i karbonit dhe thellësia, në të cilën po gërmonin, është mjaft e madhe.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha për “KosovaPress” se, po shqyrtojnë mënyrën sesi do t’i qasen tani e tutje kësaj vendndodhjeje. Ai deklaroi gjithashtu se, për këtë gjë nevojitet edhe ndihma e FSK-së.

Me të parë përkeqësimin e gjendjes së punëtorit, ai është nxjerrë nga pusi dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo nuk është hera e parë, që ekipet e Departamentit të Mjekësisë Ligjore përballen me vështirësi në terren.

Madje, ekipet e DML-së, për herë të parë pas 16 vitesh u pajisën me rroba, të cilat iu duhen në terren. Gjatë punës, ata përballeshin me mungesë të kamerave dhe elementëve të tjerë, që nevojiteshin për të përpiluar raportin e dëshmive të krimit.

Dyshimet janë për ndonjë varrezë masive të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Sipas Gërxhaliut, këto gërmime u ndalën para gati dy muajsh, pasi nuk ishte kontraktuar asnjë kompani për gërmimet me ekskavatorë. Për këto vonesa, drejtues të komisionit parlamentar për personat e pagjetur, para disa ditësh akuzuan Mjekësinë Ligjore dhe Ministrinë e Drejtësisë se kanë zvarritur punët.

Top Channel