Mercedesi ndez “alarmin”: Kujdes nga Ferrari, por s’i kemi frikë

28/07/2015 00:00

“Lewis ka 42 pikë më shumë se Vettel, por kjo diferencë nuk është as sa dy Çmime të Mëdha, ndërkohë që sezoni ka hyrë në fazën e pushimeve. Por, Ferrari është aty dhe duhet pasur nën vëzhgim gjithnjë”, është shprehur Toto Wolff.

Udhëheqësi i skuderisë Mercedes ka shpjeguar gjatë një interviste për “Stuttgarter Nachrichten” se drejtuesit e “shigjetave të argjendta” janë tepër të kujdesshëm ndaj rendimenteve të rivalëve nga Maranello, mbi të gjitha pas asaj që ndodhi në Çmimin e Madh të Hungarisë.

Nuk ka frikë, por vëmendje maksimale ndaj çdo lloj përmirësimi. Kjo, edhe për shkak se nisjet në dy garat e fundit kanë qenë të tmerrshme. Por, nëse në Silverstonë të Britanisë së Madhe gjithçka u rikuperua, në Hungari erdhi edhe humbja e parë për Mercedesin.

Wolff e ka përkufizuar si “të papranueshme” mënyrën e nisjes së garës së Hungarisë, pas një fundjave praktikisht perfekte dhe kjo gjë lë vend për shqetësim. Në Spa Francorschamps të Belgjikës, rregullat e reja teknike do të imponojnë nisje edhe më të pasigurta për shkak të kufizimeve të pajisjeve elektronike.

“Në Hungari shkoi keq, por në krye të atyre njëvendësheve nuk ka makineri, thjesht persona. Të gjithë u vunë në radhë pas Hamiltonit të shtunën, por të dielën diçka shkoi keq. Edhe Nico Rosberg nuk ishte i shpejtë si zakonisht. Megjithatë, duhet thënë se, edhe nëse nuk do të gabonte në nisje, Hamilton mund ta humbiste vendin e parë kundrejt Vettelit”, përfundon Wolff.

Top Channel