Merr fund paqja e Turqisë me kurdët, Erdogan: Ata na sulmuan

28/07/2015 00:00

Turqia e ka të pamundur ta vazhdojë procesin e paqes me kurdët, përderisa militantët e tyre godasin objektivat tanë, deklaroi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, pikërisht në kohën kur 28 vendet anëtare të NATO-s nisën takimin e jashtëzakonshëm ku diskutohet fushata e Ankarasë kundër Shtetit Islamik dhe ndjekësve të PKK-së.

Komentet e Erdoanit morrën përgjigjen e menjëhershme të përfaqësuesit të Partisë së Punëtorëve të kurdistanit Selahattin Demirtas, i cili këmbënguli se krimi i vetëm i kësaj force politike është fakti që siguroi 13% të votave në zgjedhjet e përgjithshme të muajit qershor.

Takimin e NATO-s e kërkoi Ankaraja pas një ndryshimi të menjëhershëm të qëndrimit të saj kundrejt konfliktit sirian. Partnerja deri tani vonë ngurruese në koalicionin anti-ISIS të udhëhequr nga Amerika, prej disa ditësh ka nisur të bombardojë pozicionet e Shtetit Islamik në vendin fqinj, dhe sipas pohimeve të kryeministrit Ahmed Davutoglu, pret nga aleatët e NATO-s të tregojnë solidaritet dhe mbështetje ndaj nismës së saj.

Një faktor në këtë ndryshim kursi të Ankarasë, sipas ekspertëve, janë edhe planet ende të pashpallura zyrtarisht, për krijimin e një zone të pastër, pa praninë e militantëve të ISIS-it përgjatë kufirit të saj me Sirinë, çka do të realizohet në bashkëpunim me Uashingtonin.

Përpos shënjestrimit të xhihadistëve, kjo do t’i lejonte edhe goditjen e pozicioneve të PKK-së. Në sytë e Turqisë, mes ISIS-it dhe kësaj të fundit nuk ka ndonjë ndryshim të madh; që të dy këto grupe i konsideron organizata terroriste.

Qeveria turke e ka mbyllur për një kohë të gjatë njërin sy përballë avancimit të Shtetit Islamik, e sipas disa raporteve, dhe i ka mbështetur xhihadistët që i kundërviheshin regjimit të Bashar al Assadit. Por një sërë veprimesh të militantëve, e sidomos sulmi kamikaz i Surucit, e kanë nxitur më në fund të hidhet në aksion. Kritikët besojnë megjithatë se Turqia po i përdor sulmet ndaj ekstremistëve vetëm si maskim për qëllimin e saj të vërtetë, që është goditja e një armiku të vjetër: kurdëve.

Top Channel