Paneli i këshilltarëve të pavarur ekonomikë, i kontraktuar prej qeverisë gjermane favorizon krijimin e një mekanizmi aftësimi shlyerje të huave për anëtarët e Eurozonës me qëllim parandalimin e krizave në të ardhmen.

Grupi i të “urtëve” të Gjermanisë, siç e quan Reuters, argumenton gjithashtu se vendet në fjalë duhet të jenë në gjendje të largohen nga blloku i monedhës së përbashkët nëse nuk gjendet asnjëlloj zgjidhje tjetër për ta.

Në raportin e publikuar të martën, këshilli i 5 ekspertëve citon krizën e borxhit grek si faktorin që nxorri në pah nevojën urgjente për reforma të mëtejshme të cilat ta bëjnë edhe më të qendrueshme zonën e Euros.

Duke iu rikthyer ngërçit të shtetit helen, këshilli rekomandon që dalja e Athinës nga Eurozona të mos përjashtohet krejtësisht si mundësi. “Një vend anëtar jobashkëpunues prej një kohe shumë të gjatë nuk duhet të jetë i aftë të kërcënojë ekzistencën e monedhës së përbashkët”, thuhet në deklaratë.

“Të urtët” paralajmërojnë edhe kundër politikave të “fitimit të shpejtë”, siç është krijimi i një thesari të Eurozonës, një skemë europiane të  asistencës së papunësisë, apo një qeverie ekonomike për bllokun.

“Ta bësh zonën e Euros që të jetë në mënyrë kolektive përgjegjëse për kostot potenciale, ndërkohë që vendet sovrane nuk lëshojnë nga politikat e veta fiskale dhe ekonomike, herët a vonë, kjo do të ndikojë mbi unionin monetar duke e bërë të lëkundshëm”, vazhdojnë ekspertët.

Paralajmërimi i tyre vjen pas një artikulli të revistës “Der Spiegel” ku thuhej se Gjermania ishte e gatshme të diskutonte krijimin e postit të një ministri financash të Eurozonës i cili të ketë buxhetin e tij dhe fuqinë për të vendosur taksa shtesë.

Top Channel