Kontrollet higjienike në plazhe. Verifikim edhe shkarkimit të ujërave të zeza

28/07/2015 00:00

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka inspektuar të gjitha baret, lolaket dhe subjektet e tjera, që ofrojnë shërbime në plazhin e Shëngjinit në këtë sezon turistik.

Përveç kushteve higjieno-sanitare, kryeinspektori Eltar Deda u shpreh se, në fokus të këtyre inspektimeve, që do të vijojnë në të gjitha zonat turistike në vend, është edhe monitorimi i trajtimit të ujërave të zeza nga këto subjekte.

“Edhe këtu në plazhin e Shëngjinit ne jemi fokusuar në inspektimin e të gjithë ujësjellësave. Në të njëjtën kohë monitorojmë të gjitha subjektet, në janë të pajisura apo jo me gropa septike, si dhe me devijimin e atyre tubacioneve të subjekteve, që në mënyrë jo të rregullt bëjnë derdhjen e tyre në det. Një fenomen ky, i cili nga sa kemi konstatuar deri më sot është ulur, për të mos thënë që edhe në plazhe të shumta nuk ka fare derdhje të tyre. Por ne do të qëndrojmë në monitorim”, u shpreh Eltar Deda, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.

Në fokus të këtyre inspektimeve të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor janë edhe subjektet prodhuese, ruajtëse dhe shpërndarëse të akullit që shërbehet nëpër lokale, akullore apo pijeve freskuese, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pushuesve në këtë sezon turistik.

“Ço subjekt që do të bëjë një gjë të tillë ta dijë që është i monitoruar nga ana jonë, pasi ne jemi gjatë gjithë kohës, 24 orë në ditë për 7 ditët e javës në shërbim të qytetarëve dhe të turistëve për t’iu siguruar atyre një sezon të sigurt dhe të shëndetshëm”, vijoi më tej kryeinspektori Eltar Deda.

Sipas kryeinspektorit Deda, inspektimet do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit, në të gjitha zonat turistike, me qëllim parandalimin e krijimit të problemeve shëndetësore.

Top Channel