Koordinimi për Specialen, LDK konfirmon votat. Thaçi takohet sërish me deputetët e PDK

28/07/2015 00:00

Udhëheqësit e koalicionit qeveritar në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi janë duke koordinuar veprimet e fundit me deputetët e partive që drejtojnë, për të ftuar seancën e Kuvendit ku duhet të miratohet Gjykata Speciale.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi ka konfirmuar për Top Channel përmes telefonit se, janë duke kryer konsultimet e fundit dhe brenda javës pritet të thirret seanca e Kuvendit.

Abrashi deklaroi gjithashtu se, Qeveria do të mbajë mbledhjen e rregullt të mërkurën, por aty nuk do të riprocedohet amendamenti për Specialen, pasi – sipas tij, – qeveria do të mbajë mbledhje paraprake për këtë çështje sapo të caktohet seanca.

Abrashi u shpreh më tej se, Gjykata Speciale është një detyrim që duhet të kryhet, sepse – sipas tij, – çdo ditë e humbur shkakton dëme në proceset e tjera.

Duket se kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka të konfirmuara të gjitha votat e deputetëve të tij “pro” Gjykatës, ndërsa udhëheqësi i PDK-së, Hashim Thaçi do t’i takojë sërish deputetët e tij gjatë ditës së mërkurë, për t’u siguruar edhe njëherë se, me përjashtim të 3 deputetëve kundërshtarë, të tjerët do të votojnë “pro” formimit të Speciales.

Krerët e institucioneve kosovare, gjatë ditëve të fundit kanë marrë mesazhe dhe porosi nga shumë diplomatë perëndimorë, që të mos humbin kohë, por të miratojnë Gjykatën Speciale para se Kuvendi të shkojë me pushime.

Në rast të një dështimi tjetër për ta miratuar Gjykatën Speciale në Kuvendin të Kosovës, të gjithë partnerët ndërkombëtarë u kanë deklaruar publikisht krerëve të Kosovës se, gjykata do të formohet me vendim të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Top Channel