Mbyllet dosja, ish-Guvernatori Fullani para gjykatës për shpërdorim detyre

28/07/2015 00:00

I shoqëruar nga avokati i  tij, Maks Haxhia, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është paraqitur pasditen e së martës në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, ku dhe i është komunikuar zyrtarisht akuza.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se Fullani ka qëndruar vetëm pak minuta në ambientet e Prokurorisë, ku pasi ka firmosur dosjen në ngarkim të tij, është larguar duke mos dhënë asnjë deklarim përpara prokurorëve.

Tashmë Ardian Fullani eshte i pandehur zyrtarisht me dy akuza për “shpërdorim detyre”; një për mosveprim në rastin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Ardian Bitraj, si dhe akuza tjetër e “shperdorimit të detyres” në rastin e procedurave të tenderimit për blerjen e “Hotel Dajtit”, një blerje kjo që në momentin e parë u kundërshtua ashpër nga opozita e asaj kohe.

Dosja në ngarkim të Fullanit, e cila pritet të depozitohet këtë jave në Gjykatën e Tiranës do të gjykohet veçmas nga autorët e tjerë të përfshirë ose të dyshuar si të përfshirë në skemën e vjedhjes së 713 milionë lekëve.

Hetimet janë mbyllur një vit pas shpërthimit të skandalit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit, ku autori kryesor është Ardian Bitraj, i dënuar në muajin maj me 20 vite burg nga gjykata, nga të cilët do të vuajë 13 për shkak të gjykimit të shkurtuar që kishte kërkuar më herët, ndërsa bashkëpunëtorja e tij, Mimoza Bruzia u dënua me 15 vite.

Top Channel