Shëndetësia në Kosovë, shqetësim mungesa e citostatikëve

28/07/2015 00:00

Nga viti 2011, kur është hapur Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët me tumore janë përballur me mungesa të vazhdueshme të citostatikëve, terapi kjo që është më e shtrenjta nga të gjitha të tjerat që jepen në QKUK.

Vetëm 8 lloje citostatikësh, që janë pjesë e listës thelbësore, marrin gjysmën e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë për barna. Janë mbi 50 lloje citostatikësh në listën thelbësore.

QKUK-ja, deri në vitin 2015 ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë mbi 10 milionë euro në vit për citostatikë, shumë kjo që është përgjysmuar në planifikimet e vitit 2015, shkruan këtë të martë “Koha Ditore”.

Arsyeja nuk është se ka rënë numri i pacientëve me tumore, përkundrazi, QKUK-ja njofton se ka rritje të lehtë të numrit të tyre. Planifikimet e këtij viti janë bërë pasi ka nisur një hetim policor mbi dyshimet për keqpërdorim me këto ilaçe të shtrenjta.

Kundërthëniet në shifra, – ato të parave që janë dhënë, të numrit të citostatikëve dhe të përqindjes së mbulueshmërisë së nevojave, – kanë përshkuar 4 vitet e ekzistencës së Klinikës së vetme në Kosovë, ku pacientët me tumore kërkojnë shpëtimin.

Top Channel