Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet të enjten, ja kalendari

28/07/2015 00:00

Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit për Bashkinë e Tiranës, do të zhvillohet paraditen e së enjtes.

Sekretariati i Bashkisë ka shpërndarë për mediat një njoftim mbi kalendarin e punimeve. Në bazë të ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, mbledhja është thërritur nga sekretari i Bashkisë.

Mbledhja e Këshillit do të nisë në orën 10:00 me zgjedhjen e Komisionit të Mandateve, që do të hartojë një raport që më pas do të shqyrtohet për miratim nga Këshilli.

Pas kësaj do të vijohet me betimin e këshilltarëve të rinj, të cilët do të zgjedhin kreun e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetarin e këtij këshilli.

Menjëherë pas kësaj do të vijohet me shpalljen së vlefshmërisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, betimin e tij dhe në fund zgjedhja e anëtarëve që do të përfaqësojnë Këshillin Bashkiak në Këshillin e Qarkut të Tiranës.

Top Channel