Ndahet çmimi “Bekim Fehmiu”

28/07/2015 00:00

Aktori Xhevat Qorraj, i cili i takon gjeneratës së parë të aktorëve kosovarë, është nderuar me çmimin kombëtar për vepra jetësore “Bekim Fehmiu”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në motivacionin e jurisë për ndarjen e këtij çmimi thuhet se, që nga vitet ’70, aktori Xhevat Qorraj ka realizuar mbi 24 role kryesore, të cilat janë vlerësuar nga kritikë të vendit dhe ndërkombëtarë si të nivelit të lartë artistik.

Pasi pranoi çmimin nga ministri Kujtim Shala, aktori Xhevat Qorraj e vlerësoi atë si më të rëndësishmin, duke marrë parasysh emrin e aktorit të ndjerë që mban, Bekim Fehmiut, duke rikujtuar një moment të 44 viteve më parë.

“Në atë kohë, në Nish ku u mbajt festivali për aktorët më të mirë, qëlloi të ishte edhe i ndjeri Bekim Fehmiu. Unë u shpalla aktori më i mirë prej të rinjve, ndërsa sot, pas një pune të gjatë, pas shumë e shumë shpërblimeve, më duket se ky është shpërblimi më i dashur për mua, sepse mban emrin e aktorit të madh Bekim Fehmiu. Më falni, por jam i emocionuar”, tha aktori Xhevat Qorraj, fitues i çmimit kombëtar për vepra jetësore “Bekim Fehmiu”.

Xhevat Qorraj, pas studimeve për teatër, kinematografi dhe televizion në Beograd, nga viti 1972 është punësuar si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dikur Teatri Popullor Krahinor, ndërsa ka të realizuara 60 role në kinematografi dhe teatër.

Aktorja e së njëjtës gjeneratë, Drita Krasniqi, që ishte anëtare e jurisë, u shpreh me lavde për të.

“Është me të vërtetë një fizionomi, të cilën kinemaja e do shumë. Ai është unik sipas meje. Ka punuar në mjaft filma, që janë me të vërtetë emblematik, në të cilat ai ka luajtur rolet kryesore, ose njërin nga rolet kryesore. Unë mendoj se, ai e ka merituar me të vërtetë”, tha Drita Krasniqi, aktore.

Ndërsa çmimi i përvitshëm për kinematografi iu dha regjisorit, skenaristit dhe producentit, Agim Sopi, i cili nuk ishte i pranishëm, për filmin “Agnus Day”, që trajton dramën e luftës në Kosovë dhe që ka qenë tepër i suksesshëm. Nga viti 2014, ai ka fituar 25 çmime në 70 festivale ndërkombëtare, ku ka qenë pjesëmarrës.

Juria ishte e përbërë nga shkrimtari dhe kritiku, Musa Ramadani, aktorja Drita Krasniqi, regjisorja Lendita Zeqiraj, regjisori Bekim Lumi dhe studiuesi e kritiku, Besim Rexhaj.

Çmimi kombëtar për vepra jetësore “Bekim Fehmiu” ka një vlerë prej 5000 eurosh, ndërsa ai i përvitshmi për kinematografinë prej 2500 eurosh.

Top Channel