Marrëveshja me Iranin, Mogherini siguron aleatët e Lindjes së Mesme

28/07/2015 00:00

Perëndimi po përpiqet t’i sigurojë aleatët e Lindjes së Mesme në lidhje me marrëveshjen bërthamore të nënshkruar së fundi me Iranin.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka zhvilluar bisedime në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, përpara se të udhëtojë drejt Iranit për diskutime të mëtejshme mbi implementimin e marrëveshjes së re.

Mogherini, e cila është edhe përfaqësuesja më e lartë e BE-së që mori pjesë edhe në negociatat përpara nënshkrimit, tha gjatë një konference për shtyp se “është shumë e rëndësishme për mua, personalisht, që pikë së pari të arrij të transmetoj mesazhin se, marrëveshja është tepër e fortë dhe e qëndrueshme”.

“Mbi të gjitha është një marrëveshje kundër përhapjes së armëve bërthamore, e cila do të na garantojë neve se Irani nuk do të ketë një armë bërthamore të paktën për 10-15 vitet e ardhshme. Ajo ka gjithashtu një mekanizëm të qëndrueshëm dhe një rikthim të mundshëm e të menjëhershëm të sanksioneve”, tha Mogherini, ish-ministre e Jashtme e Italisë, që zëvendësoi në postin aktual Catherine Ashton.

Por, duke dhënë një sinjal të mëtejshëm të lodhjes nga kjo marrëveshje, ministri i Jashtëm saudit foli ashpër dhe me një pretendim serioz se, Irani ka bërë kërcënime kundër aleatit kryesor të Rijadit, Bahreinit.

Top Channel