Raporti i DASH, kritika Ballkanit për trafikun e qenieve njerëzore

28/07/2015 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të hënën raportin për trafikun e qenieve njerëzore. Në raport vlerësohet se pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit nuk plotësojnë standardet minimale për t’u përballuar si duhet me këtë fenoment të paligjshëm, me përjashtim të Maqedonisë.

E përbashkëta më e madhe e vendeve të Ballkanit, sipas raportit të DASH, janë sistemet e dobta të identifikimit të shkaqeve dhe të shifrave të sakta të viktimave të trafikut, duke vështirësuar gjetjen e zgjidhjeve të duhura.

Raporti thotë se pavarësisht “progresit domethënës” në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, një i dënuar për krime të tilla është sot deputet i Parlamentit. Kjo u nënvizua edhe në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila deklaroi këtë të martë se “prania e një  të dënuari për trafik në radhët e ligjvënësve është e turpshme”.

Problematike vlerësohen dënimet e buta të drejtësisë shqiptare, që në shumicën e rasteve ndëshkon të ndaluarit për “shfrytëzim prostitucioni” dhe jo për “trafik të qenieve njerëzore”. DASH thotë se ka një mbivendosje të ligjeve në këtë pjesë.

Sa për Kosovën, Departamenti njeh përpjekjet e autoriteteve në luftën kundër trafikantëve, por vlerëson se pavarësisht rritjes së numrit të tyre, dënimet janë shumë të lehta.

Përgjithësisht në vendet e rajonit është e njëjta situatë. Bullgaria, edhe pse një vend anëtar i Bashkimit Europian është vendosur në listën e vendeve nën vëzhgim për shkak të përkeqësimit të situatës atje. Në 2014 numri i personave të dënuar apo të hetuar për trafik u ul ndjeshëm dhe në të shumtën e rasteve gjykatat kanë dhënë dënime me kusht.

Sa i takon Serbisë, raporti thotë se janë vënë re hapa si pozitive ashtu edhe negative përgjatë 2014-ës, ndërkohë që ndëshkimet me burg variojnë nga 3 deri në 12 vjet.

Mali i Zi ka mbetur në vendnumëro, sipas raportit. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë ligjore përgjatë 2014-ës, e për pasojë nuk ka pasur asnjë person të dënuar për trafik qeniesh njerëzore.

Në Kroacia raporti vëren përpjekje të miksuara të qeverisë për të ecur përpara në luftën kundër trafikut. Edhe këtu problematik vlerësohet dënimi i butë ndaj personave që shpallen fajtorë.

Top Channel