NATO nxit Turqinë të mos e braktisë procesin e paqes me kurdët

28/07/2015 00:00

Qeverisë turke i është ushtruar presion gjatë një takimi special të NATO-s për të adoptuar një përgjigje të përshtatshme dhe proporcionale kundrejt militantëve kurdë, si dhe të mos braktisë procesin e paqes gjithnjë e më të brishtë.

Konferenca e NATO-s, e mbajtur me kërkesë të Turqisë, erdhi vetëm pak orë pasi Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se ishte e pamundur të vazhdohej procesi i paqes me militantët kurdë dhe nxiti Parlamentin turk t’u heqë imunitetin politikanëve që kanë lihje me “grupet terroriste” e t’i vënë në dispozicion të hetimeve të drejtësisë.

Javën e kaluar, avionët luftarakë të Turqisë goditën objektivat e Shtetit Islamik në Siri për herë të parë, në atë që konsiderohet si një kthesë tepër e madhe taktike, që erdhi pas një sulmi xhihadist përtej kufirit dhe një shpërthimit kamikaz në provincën jugore të Suruçit.

Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të tjerë të NATO-s mirëpritën sulmet në fjalë, por veçanërisht sulmet ajrore kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), militantë të së cilës janë përfshirë prej një kohe të gjatë në luftë kundër Turqisë, janë edhe më problematike.

E ndërsa NATO e cilësoi PKK-në si një organizatë terroriste, kurdët e kanë dëshmuar deri më sot se janë mes luftëtarëve më efektivë kundër Shtetit Islamik dhe SHBA-të kryesisht, por edhe vende të tjera në aleancën 28-kombëshe, nuk dëshirojnë t’i kthejnë ata në armiq.

Pas takimit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shmangu me kujdes të dukshëm çdo përmendje të grupeve të militantëve kurdë.

“Të gjithë aleatët qëndrojnë në krah të Turqisë dhe solidarizohen me të. Ne i dënojmë ashpër sulmet terroriste ndaj saj”, tha Stoltenberg. “Ne shprehim gjithashtu ngushëllimet tona ndaj qeverisë turke dhe ndaj familjarëve të viktimave të Suruçit, por edhe sulmeve të tjera kundër oficerëve të policisë dhe ushtarëve”.

Në takim, shumica e vendeve anëtare shfaqën shpresën se Turqia mund të vazhdojë të zhvillojë bisedime paqeje me PKK-në, të cilat kanë nisur që prej vitit 2013. Ata deklaruan gjithashtu se Turqia duhet të jetë proporcionale në operacionin e saj ushtarak kundër militantëve kurdë.

Nga ana e saj, pala turke tha se pikëpamjet e paraqitura do të merren në konsideratë nga qeveria. Avionët e Forcave Ajrore turke bombarduan kampet e PKK-së në veri të Irakut gjatë javës së kaluar, duke i fajësuar ato për sulmet terroriste në Turqi. Sulmet i dhanë fund një armëpushimi dyvjeçar mes qeverisë turke dhe militantëve kurdë, që ishte vendosur gjatë tentativave për t’i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm që ka marrë mbi 40 mijë jetë njerëzish gjatë 3 dekadave të fundit.

Top Channel