Kosovë, OEAK kërkon nga qeveria plotësimin e paketës fiskale

28/07/2015 00:00

Pas miratimit të ligjeve të reja, që rregullojnë fushën tatimore në Republikën e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh që dispozitat e reja janë parashikuar të hyjnë në fuqi më 1 shtator 2015, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të finalizojnë në të njëjtën kohë të gjitha elementet e pakos fiskale, në mënyrë që krahas ligjeve të reja të hyjnë në fuqi edhe masat e reja fiskale.

Oda Ekonomike Amerikane beson se, ditët në vijim duhet të shfrytëzohen për kompletimin e kornizës lehtësuese ligjore, në mënyrë që pakoja e re fiskale të luajë vërtet një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të reja, fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga qeveria e vendit, që në përputhje me ligjin për mallrat e liruara nga detyrimet doganore, të bëjë zgjerimin e listës së këtyre produkteve, më konkretisht të lëndëve të para që nuk prodhohen në vend, e të cilat gjejnë përdorim në proceset e prodhimit dhe përpunimit.

Në të njëjtën kohë, OEAK kërkon që, në përputhje me ligjet e reja tatimore, Ministria e Financave të hartojë sa më shpejt të jetë e mundur aktet e reja nënligjore, që do të mundësonin hyrjen në fuqi të pushimeve tatimore, si instrument i rëndësishëm për nxitjen e investimeve të reja, të huaja apo të brendshme.

Ofrimi i lehtësirave gjithëpërfshirëse fiskale, përfshirë këtu edhe aplikimin e pushimeve tatimore, do t’i mundësonte vendit që të përmirësojë përparësitë e tij konkurruese në nivel me shtetet e tjera të rajonit dhe të rrisë atraktivitetin e tij, si një destinacion i rëndësishëm për investitorët e huaj.

Top Channel