Betejat ligjore “Le Pen”, i ati fiton sërish ndaj së bijës

28/07/2015 00:00

Jean-Marie Le Pen, veterani francez i ekstremit të djathtë dhe bashkëthemelues i Frontit Nacional, ka fituar betejën e tretë ligjore në atë që konsiderohet si armiqësi gjithnjë e më e hidhur mes tij dhe së bijës, Marine Le Pen, njëkohësisht udhëheqëse aktuale e partisë.

Gjykata e Apelit të Versajës la në fuqi një vendim ligjor të mëparshëm në favor të 87-vjeçarit, i cili anulonte përpjekjen e vajzës së tij për ta pezulluar nga partia, dhe deklaroi si të paligjshëm procesin zgjedhor të kërkuar prej saj brenda anëtarëve të partisë, për t’i hequr kështu të atit titullin e presidentit të nderit të partisë.

Beteja mes Le Pen nisi në prill, pas disa komenteve të ashpra që babai bëri duke nënçmuar Holokaustin dhe lavdëruar regjimin Vichy, bashkëpunues me nazistët.

Marine Le Pen e pezulloi të atin nga partia, që ai bashkëthemeloi në vitin 1972, si dhe kërkoi të mbaheshin zgjedhje brenda partisë për t’i hequr atij titullin “president nderi”. Në një zënkë të egër publike, ai e mohoi të bijën dhe prej asaj kohe nuk flasin bashkë, por betejën ligjore e kishin transferuar nëpër gjykata.

Le Peni veteran, i cili është i famshëm për ngritjen e çështjeve gjyqësore ndaj armiqve të tij, deri më tani i ka fituar të gjitha ato. Fillimisht, ai u rikthye si anëtar i partisë Fronti Nacional pas vendimit të gjykatës në Nanterre. Më pas, gjykata ngriu votimet ku më shumë se 30 mijë anëtarë të këtij subjekti politik votuan gjatë këtij muaji mbi strukturat e reja partiake, duke mos e njohur më si president nderi Le Penin. Por, kjo fitore e fundit e babait ndaj të bijës nënkupton se, nëse vajza e tij dëshiron ta heqë atë nga pozicioni i presidentit të nderit, ajo duhet të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme që fton të gjithë anëtarët e partisë të votojnë personalisht, një sfidë tepër komplekse në një kohë kur po afrojnë edhe zgjedhjet rajonale.

Marine Le Pen mori kreun e Frontit Nacional prej të atit të saj në 2011-n.

Top Channel