LSI konfirmon nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës

28/07/2015 00:00

Brunilda Paskali do të jetë një nga nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës. Burime partiake bëjnë të ditur se Paskali, e cila mban  postin e zv.ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, është emri më i ri që do të jetë pjesë e stafit drejtues të Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj.

Brunilda Paskali prej vitesh është anëtare e kryesisë dhe Komitetit Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe që prej tetorit të 2013 mban postin e Zv.ministres. Në CV-në e publikuar në faqen e Ministrisë thuhet se Paskali ka një përvojë 17-vjeçare në drejtimin dhe administrimin e organizatave financiare.

Brunilda Paskali së bashku me Andi Seferin janë dy emrat e parë të konfirmuar zyrtarisht si nënkryetar të bashkisë së re të Tiranës, ndërsa pritet ende konfirmimi i nënkryetarit që do t’i takojë PDIU-së, si dhe caktimin përfundimtar nëse Partia Socialiste do të jetë e përfaqësuar me 1 apo 2 nënkryetarë.

Ndërkaq, është bërë publike dhe agjenda e mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet paraditen e së enjtes.

Top Channel