Azili, Gjermania: Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi të shpallen vende të sigurta

28/07/2015 00:00

Autoritetet gjermane gjenden përballë një presioni në rritje për çështjen e menaxhimit të azilkërkuesve që kanë zbarkuar atje.

Gjatë një samiti rajonal të organizuar në Baden-Vuertemberg , dyndja e emigranteve nga Ballkani ka dominuar bisedimet e kryetarëve të landeve.

Teksa Bosnja, Maqedonia dhe Serbia janë deklaruar si vende të sigurta në muajin dhjetor, tani pyetja që kanë ngritur zyrtarët gjermanë është se çdo të bëhet me statusin e vendeve si Shqipëria, Kosova apo Mali i Zi.

Por, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, gjasat janë që edhe këto të fundit, do të konsiderohen nga shteti gjerman si shtete që nuk paraqesin rrezikshmëri.

Sipas zyrës gjermane të emigracionit, numrat e azilkërkuesve  nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, janë rritur në krahasim me vitin e shkuar me 515%. Por një klasifikim i “sigurt”  i këtyre shteteve, e bën më të lehtë që autoritetet gjermane t’i dërgojnë sërish mbrapsht nëpër vendet e origjinës azilkërkuesit.

Në të kundërt, nëse këto vende do të shpallen si të rrezikshëm, atëherë do të jetë më e vështirë që të provohet nëse aplikantët janë vërtetë viktima të persekutimit mbi baza politike, fetare ose etnike.

Madje, për të parandaluar valën e këtyre emigrantëve të paligjshëm, një tjetër masë që mendohet të merret nga vendet  e unionit është rivendosja e vizave. Megjithatë pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, janë pjesë e “Shengenit”, çka lejon lëvizjen e pakufizuar. Por një ndryshim i këtyre rregullave do të kërkonte një vendimmarrje të re me votim në instancat më të larta të BE-së.

Vendet e unionit ndodhen në një situatë të vështirë, pasi edhe dhuna në rritje është një tregues i përkeqësimit të situatës. Nëpër kampet ku strehohen azilkërkues janë raportuar raste të shumta dhune.

Në Mainstockheim, Bavari, 20 refugjatë u evakuuan nga një hotel, pas përleshjeve me një grup vendasish. Ndërsa në Gjermani lëvizja ekstremiste “Pegida” protestoi me 2000 aktivistët e saj kundër pranimit të azilkërkuesve.

Si rrjedhojë e kësaj situate të përshkallëzuar, samiti rajonal i Gjermanisë pasoi takimin e ministrave të Brendshëm europianë në Bruksel, një javë më parë, ku secilit vend duhej të hartonte një listë me shtete nga të cilat nuk do të pranonte asnjë aplikim për azil.

Top Channel