Greqi, fillojnë zyrtarisht bisedimet me kreditorët, masa ekstreme për ruajtjen e tyre

29/07/2015 00:00

Prej mesditës së të martës ka filluar në Athinë zyrtarisht punën ekipi i ekspertëve teknikë që përfaqësojnë kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë, e ashtuquajtura Troika, që në këtë rast është shndërruar në kuartet.

Përveç BE,BQE dhe FMN në këto bisedime merr pjesë edhe ESM, Mekanizmi Europian i Stabilitetit. Ndërsa krerët e çdo përfaqësie mbërrijnë të mërkurën për të zhvilluar bisedime ekspres me palën greke, për vlerësimin e gjendjes ekonomike të vendit, specialistët teknikë kanë filluar kontrollin prej zyrës qendrore të kontabilitetit të shtetit. Të dy palët kanë qëllim që negocimet të përfundojnë sa më shpejt dhe të arrihet marrëveshja me Greqinë para datës 20 gusht, kur Greqia duhet të shlyejë disa kredi të vjetra te BQE-ja.

“Ashtu siç jeni në dijeni, ne jemi këtu një zyrë mbështetjeje për ekipin negociator. Në të njëjtën kohë ndjekim zhvillimet, informohemi dhe japim informacionet për të cilat ata kanë nevojë, në mënyrë që procesi i negocimit të ketë një ecuri pozitive. Por për të gjitha çështjet teknike në lidhje me negociatat, duhet t’u drejtoheni ministrave përkatës”, Dhimitris Mardas, ministër plotësues i Financave.

Ndërkohë, priten reagimet e para politike dhe sociale për sa u përket disa reformave që do të hyjnë në fuqi në mesin e muajit gusht, siç janë anulimi i pensioneve të parakohshme dhe disa ndryshime në tatimet ndaj fermerëve.

Opozitarët e Demokracisë së Re thonë se do të kundërshtojnë reduktimin e rreth 2.5 milionë pensioneve prej muajit të ardhshëm, pasi qeveria, me një qarkore të fundit, ka deklaruar se do të rrisë nga 4 ne 6% taksen mbi të ardhurat për sistemin shëndetësor.

Ajo që komentohet në të gjitha mediat greke orët e fundit është fakti se 54 përfaqësuesit e kreditorëve në kryeqytet, do të ruhen nga grupe speciale të policisë dhe Antiterrorit, rreth 300 persona, në hotelin ku ekspertët do të qëndrojnë, në ambientet ku do të zhvillojnë bisedimet apo në zyrat shtetërore që do të vizitojnë.

Përveç kësaj, këto grupe do të kenë në dispozicion aparatura për zbulimin e lëndëve eksplozive dhe të shmangies së përgjimeve nëpërmjet telefonave celularë, ndërsa janë planifikuar edhe masa të menjëhershme në rast të protestave pranë ndërtesave ku do të qëndrojnë përfaqësuesit e kuartetit apo aty ku ata do të zhvillojnë takimet e tyre të punës.

Top Channel